Bashkëpunimi i Kosovës dhe Gjermanisë në Fushën e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, e ka pritur të premten Christoph Israng, drejtorin e Departamentit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i shoqëruar nga ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta, shkollimin, blerjen e pajisjeve ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Maqedonci theksoi se një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua zhvillimeve aktuale të sigurisë në rajon, si dhe kontributit të Kosovës në ruajtjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë.


- Advertisement -

Israng shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin aktiv të Kosovës në çështjet e sigurisë evropiane dhe globale, duke konfirmuar gjithashtu përkushtimin e Gjermanisë për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Ministri Maqedonci vlerësoi se bashkëpunimi me Gjermaninë në fushën e mbrojtjes ka arritur një nivel të lartë. “Gjermania mbetet partner strategjik i Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes,” deklaroi ai.

Në përfundim, Maqedonci shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe përkushtimin për thellimin e partneritetit midis dy vendeve.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *