Telekomi i Kosovës, pas auditi të pasqyrave financiare për vitin 2024 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila dha një opinion të pamodifikuar, këtë vit nuk iu nënshtrua auditimit nga ky institucion.
Pasqyrat financiare për vitin 2025 janë audituar nga kompania private “Nexia Kosovo”, ndërsa arsyeja pse ZKA nuk e auditoi Telekomin mbetet e paqartë, të paktën zyrtarisht.
KIKS Kosova ka kërkuar sqarime nga Zyra Kombëtare e Auditimit në lidhje me këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Sipas informacioneve jo zyrtare, KIKS ka mësuar se ZKA nuk e ka audituar Telekomin për shkak se për vitin 2024 kishte dhënë opinion të pamodifikuar.
Ndryshimi në auditor solli edhe një rezultat tjetër.
Ndërsa për vitin 2024 ZKA kishte dhënë opinion të pamodifikuar, për vitin 2025 Nexia dha opinion të kualifikuar.
Rezerva e auditorit privat lidhet me një prej elementeve kryesore të pasqyrave financiare të Telekomit – të hyrat.
Në raportin e auditimit, Nexia konstaton se “Shoqëria nuk kishte model, proces, politika dhe metodologji të dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për aplikimin e kërkesave të IFRS 15 mbi kategoritë kryesore të të hyrave”.
Sipas auditorit, mungonte analiza e plotë dhe e dokumentuar e kontratave me klientët, obligimeve të performancës, mënyrës së ndarjes së çmimit dhe momentit kur regjistrohet e hyra.
Problemi është veçanërisht i rëndësishëm për kontratat afatgjata dhe pakot që përmbajnë disa shërbime.
Për shkak të kësaj, Nexia thotë se nuk ka mundur të përcaktojë nëse të hyrat, të arkëtueshmet tregtare dhe të hyrat e shtyra janë paraqitur drejt sipas IFRS 15, e as nëse do të nevojiteshin korrigjime.
Megjithatë, Telekomi mban një qëndrim tjetër.
Ndërmarrja thotë se e ka analizuar opinionin e auditorit, por nuk e ka vlerësuar se duhet të bëjë korrigjime. “Telekomi konsideron se pasqyrat financiare të publikuara janë në përputhje me IFRS dhe sigurisht që kemi analizuar opinionin e auditimit.
Raporti i auditimit nuk ka kërkuar dhe as rekomanduar të ndërmerret ndonjë korrigjim në pasqyra, ndërsa Telekomi nuk ka vlerësuar se duhet ndërmarrë ndonjë korrigjim.
Opinioni i auditimit nuk konstaton se të hyrat e raportuara nuk janë në përputhje me IFRS, por konstaton që në mungesë të metodologjisë të shkruar që siguron raportimin e të hyrave në përputhje me IFRS, nuk mundëson të përcaktoj efektin në të hyrat nëse një metodologji e tillë do të ekzistonte”, thuhet në përgjigjen e Telekomit për KIKS Kosova.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




