Presidenti amerikan Donald Trump mund t’i konsiderojë miq presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin kinez Xi Jinping, por ndjenjat nuk janë të ndërsjella.
Kështu ka deklaruar ish-këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili ka kritikuar ashpër qasjen e Trumpit ndaj këtyre dy liderëve. “Ju garantoj se ata nuk e shohin atë në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Bolton për NewsNation.
Sipas tij, Trump beson se marrëdhëniet personale mes liderëve mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve ndërmjet shteteve.
Megjithatë, ai theksoi se Putini dhe Xi Jinping nuk funksionojnë sipas kësaj logjike.
Bolton i përshkroi dy presidentët si “figura të ashpra të historisë”, të cilët udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe jo nga miqësitë personale.
Ai theksoi se mënyra për t’u imponuar respekt liderëve autoritarë është të flasësh gjuhën që ata kuptojnë. “Duhet të flasësh gjuhën e tyre, që është gjuha e fuqisë”, deklaroi ai.
Ish-këshilltari amerikan ishte po aq kritik edhe ndaj rezultateve të takimit mes tre presidentëve. “Për sa i përket përmbajtjes, do ta vlerësoja pothuajse me zero”, tha Bolton.
Ai komentoi deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, e cila fillonte me thirrjen për reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përfundonte me qëndrimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Bolton kujtoi se kjo shprehje ishte përdorur shpesh edhe nga ish-presidenti amerikan Ronald Reagan. “Përveç kësaj, takimi nuk kishte përmbajtje”, u shpreh ai.
Sipas Boltonit, nëse janë zhvilluar diskutime me rëndësi, ato mund të kenë ndodhur gjatë bisedimeve të ndara të Trumpit me Putinin dhe Xi Jinpingun.

