Aleanca kritikon Qeverinë për menaxhimin e energjisë dhe infrastrukturës në Kosovë

0
4
- Advertisement -

Aleanca ka shprehur kritika të forta ndaj Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e sektorëve kyç të vendit, duke ngritur shqetësime për situatën energjetike, mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe gjendjen ekonomike.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, theksoi se Kosova po përballet me një situatë të rëndë energjetike, për të cilën ai ia atribuon përgjegjësinë Qeverisë.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, Gjini shprehu se ky vendim është një përpjekje për t’ua hedhur hi syve qytetarëve, pasi, sipas tij, kompanitë që janë të licencuara në Kosovë për import dhe transmetim të energjisë janë me origjinë serbe ose të kontrolluara nga Serbia.

Ai theksoi se Qeveria ka anuluar projekte që do të mundësonin rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend, duke përmendur projektin e gazit amerikan dhe investimet për rritjen e kapaciteteve energjetike, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet e varur nga importi.

Kritika është adresuar edhe për investimet në infrastrukturë, sidomos për projektin strategjik të hekurudhës Prishtinë–Durrës.

Gjini tha se Kosova është zotuar për realizimin e studimit të fizibilitetit për pjesën e saj të projektit, por sipas tij, në projektbuxhet nuk janë ndarë mjete për këtë qëllim.

- Advertisement -

Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjen me Portin e Durrësit.

Sipas tij, në mungesë të financimit për këtë fazë, projekti rrezikon të mos shënojë përparim as gjatë viteve 2027 dhe 2028.

Kryetari i AAK-së kritikoi gjithashtu ndarjet buxhetore për projektet e tjera infrastrukturore, duke thënë se me një apo dy milionë euro nuk mund të përfundojnë projekte që kërkojnë investime prej dhjetëra apo qindra milionë eurosh.

Ai theksoi se gjendja është e rëndë edhe në shëndetësi, arsim dhe prodhimtarinë vendore.

Duke iu referuar bilancit tregtar, Gjini tha se importi është shtatë deri në tetë herë më i madh se eksporti, ndërsa akuzoi Qeverinë se me politikat e saj po i dëmton prodhuesit vendorë.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here