Një ngjarje tragjike ka tronditur botën e futbollit argjentinas.
Abel Núñez, një futbollist vetëm 16-vjeçar i FC Ezeiza, ka ndërruar jetë të dielën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi kur një top e goditi drejtpërdrejt në kokë, pas një largimi nga një lojtar kundërshtar.
Riu ra menjëherë në tokë pa ndjenja, ndërsa ata që ishin prezent i ofruan ndihmën e parë.
Ai u transportua urgjentisht në një qendër mjekësore, ndërsa ndeshja u ndërpre menjëherë.
Fatkeqësisht, ai nuk arriti t’i mbijetojë ndërhyrjes kirurgjikale.
FC Ezeiza njoftoi fillimisht se futbollisti kishte pësuar një dëmtim shumë të rëndë në kokë dhe se kishte nevojë për një ndërhyrje urgjente kirurgjikale.
Klubi bëri thirrje për lutje nga familjarët, miqtë dhe tifozët për shërimin e tij.
Megjithatë, gjendja e 16-vjeçarit nuk u përmirësua dhe më vonë u konfirmua lajmi i hidhur për vdekjen e tij. “Ky është lajmi më i vështirë që duhet të ndajmë si klub.
Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh, i themi lamtumirë një të riu që kishte gjithë jetën përpara dhe që sot na lë me një boshllëk të pamundur për t’u përshkruar,” thuhet në reagimin e FC Ezeiza.
Klubi shprehu ngushëllime për familjarët, miqtë dhe bashkëlojtarët e Abelit, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes së tyre.
Përveç futbollit, Núñez ishte pjesë edhe e ekipit rezervë të futsallit të Nueva Estrella, i cili merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA).
Pas lajmit për vdekjen e tij, Nueva Estrella vendosi të pezullojë të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë edhe ndeshjen e planifikuar kundër Argentinos Juniors. “Sot, asnjë ndeshje apo rezultat nuk ka rëndësi.
Sot, dhimbja na bashkon dhe na fton të jemi pranë atyre që kanë më shumë nevojë.
Abeli do të jetë gjithmonë pjesë e familjes sonë.
Pusho në paqe, vogëlush.
Nueva Estrella nuk do të të harrojë kurrë,” shkroi klubi.

Leave a Reply