Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përgjegjësi disiplinore dhe penale për të gjithë zyrtarët që nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti e theksoi se rasti i Zekajt ka nxjerrë në pah dështimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave, pavarësisht se ajo kishte denoncuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje. “Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë, se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta, dhe prapë të përfundojë e vrarë,” ka thënë Kurti.
Ai theksoi se do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar që nuk e ka kryer detyrën. “Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet.
Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të japë përgjegjësi e do të përballet me masa disiplinore dhe penale,” ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë foli edhe për mentalitetin patriarkal, të cilin e cilësoi si një problem më të thellë shoqëror që ndikon në dhunën ndaj grave. “Vrasja e Arlindës na përballi edhe me një problem më të thellë shoqëror: me një mentalitet patriarkal që ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilën burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si thyerje të autoritetit mashkullor,” ka thënë ai.
Kurti theksoi se ndryshimi i këtij mentaliteti kërkon angazhim në familje, shkolla, institucione dhe organizata politike.
Ai paralajmëroi rishikimin e kurrikulave arsimore, nga edukimi parashkollor deri në nivelet e tjera të arsimit, me qëllim që barazia, respekti, autonomia personale dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë të mësohen që në fëmijëri. “Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e durueshme, ndërsa djemtë që të jenë patjetër dominues.
Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët,” ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se emancipimi i shoqërisë lidhet edhe me pavarësinë ekonomike të grave, të drejtat pronësore, mundësitë e barabarta në punësim dhe ndarjen e përgjegjësive brenda familjes. “Barazia gjinore duhet ta luftojë pabarazinë shoqërore dhe ajo duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, në politikat që zbatojmë dhe mënyrën se si ne i mbrojmë gratë kur u rrezikohet jeta,” ka thënë Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
