Ministrja Gërvalla ka theksuar se raporti për rastin e Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah shkelje dhe mangësi serioze nga ana e Gjykatës, Prokurorisë dhe Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Ajo shprehu se më 20 tetor, pesë ditë përpara vrasjes, Arlinda Zekaj kishte dërguar një mesazh kryetarit të gjykatës, duke shprehur zhgënjimin e saj dhe duke paralajmëruar se mund të bëhej viktimë e neglizhencës institucionale.
Gërvalla theksoi se vendimet gjyqësore për kthimin e saj në shtëpi nuk ishin zbatuar, dhe nuk kishte informacione nëse gjyqtari përgjegjës kishte ndërmarrë ndonjë veprim ligjor. “Më 20 tetor, pra në të njëjtën ditë, Arlinda Zekaj i shkroi përsëri kryetarit të gjykatës, duke shprehur zhgënjimin e saj të thellë dhe duke paralajmëruar se do ta vrisnin si pasojë e neglizhencës institucionale.
Pesë ditë më vonë, ajo tragjikisht u vra,” tha ajo. “Raporti evidenton gjithashtu se vendimet gjyqësore për kthimin e saj në shtëpi nuk ishin zbatuar.
Më 20 dhe 21 tetor, Qendra për Punë Sociale njoftoi zyrtarisht gjyqtarin Migjen Kastrati për moszbatimin e urdhrit mbrojtës.
Nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, nuk rezulton që gjyqtari të ketë ndërmarrë veprime të mëtejshme të parapara me ligj për adresimin e kësaj situate.
Deri sot, nuk kemi asnjë sinjal se në cilën formë do të adresohen këto shkelje të gjyqtarit përgjegjës, por edhe të kryetarit të Gjykatës në Pejë,” shtoi ajo.
Gërvalla gjithashtu njoftoi se Prokuroria Themelore në Pejë ishte informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Zekajt që nga 10 korriku.
Ajo theksoi se më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes, kryeprokurorja e atëhershme, Lumturie Vuçetaj, kishte marrë një njoftim me shkrim për kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje ndaj Zekajt.
Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje. “Kalojmë te Prokuroria Themelore në Pejë.
Edhe lidhur me veprimet e prokurorisë, raporti evidenton probleme serioze.
Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku.
Dokumentacioni tregon se prokurorët përgjegjës dhe kryeprokurorja e atëhershme, Lumturi Vuçetaj, ishin të informuar vazhdimisht për zhvillimet e rastit,” tha ajo. “Veçanërisht shqetësues është edhe një fakt, më 23 tetor, pra vetëm dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte informuar me shkrim se Arlinda Zekaj kishte raportuar një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj.
Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga dyshuarit të siguronin pamjet e kamerave të sigurisë.
Nuk kemi dokumentacion që tregon nëse këto pamje janë dorëzuar dhe cilat veprime të mëtejshme janë ndërmarrë.
Dy ditë më vonë, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn me sëpatë,” shtoi ajo. “Raporti evidenton edhe mosadresimin e vazhdueshëm të kërkesës së saj për t’u kthyer në shtëpinë e vet.
Në vend që të zbatohej vendimi gjyqësor, asaj iu rekomandua ta zgjidhte çështjen e pronës së saj përmes kontestit civil.
Në disa raste, asaj iu rekomandua të largohej nga shtëpia për arsye sigurie.
Pra, që të jemi të qartë: në vend që të largohej dhunuesi, viktimës i kërkohej të largohej nga rreziku, duke hequr dorë nga shtëpia e saj,” shprehu Gërvalla. “Raporti ngre gjithashtu shqetësime për vlerësimin e rrezikut nga familjarët e bashkëshortit dhe për mosadresimin e shqetësimeve lidhur me qëndrimin e fëmijës te persona të tretë.
Në këtë kontekst, duhet përmendur se tashmë janë suspenduar nga detyra dy prokurore të përfshira në trajtimin e rastit.
Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e shqyrtimit të përgjegjësive institucionale.
Suspendimi, natyrisht, nuk përbën konstatim përfundimtar të përgjegjësisë, por mundëson zhvillimin e procedurave përkatëse pa pengesa.
Presim që sistemi prokurorial të vazhdojë shqyrtimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve, të sqarojë të gjitha rrethanat dhe, aty ku konstatohen shkelje, të ndërmarrë masat e parapara me ligj,” tha ajo. “Kalojmë te Qendra për Punë Sociale në Pejë.
Nga korriku deri në tetor, Qendra për Punë Sociale kishte komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn.
Megjithatë, raporti evidenton se qendra nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët.
Po ashtu, Qendra nuk e dorëzoi brenda afatit raportin e kërkuar nga Gjykata.
Më 5 tetor, përfaqësuesi i saj madje mungoi në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të seancës,” tha ajo. “Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht, pra çdo ditë, raportin nga zyrtari përgjegjës, Durim Kelmendi, por pa rezultat.
Raporti trajton edhe çështjen e fëmijës së mitur.
Vlerësimi psikologjik klinik, përmban të dhëna që kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar deri më tani se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij.
Për shkak të mbrojtjes së privatësisë dhe interesit më të mirë të fëmijës, nuk do të hyj në hollësi sot,” tha ajo. “Një tjetër çështje është përgjegjësia e Komunës së Pejës për mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale.
Ju e dini që kryetari i komunës ka kompetenca të veçanta të parapara me Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje.
Duke qenë se unë jam koordinatore kombëtare, kryetari i komunës është koordinatori lokal.
Deri në përfundimin e këtij raporti, nga komuna kemi marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, që konfirmon se rasti është diskutuar në mekanizmin koordinues komunal.
Prandaj, nuk kemi marrë informacion as për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara, as për planet që ka komuna për ditët e ardhshme.
Presim sqarime edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri,” tha ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
