Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka apeluar ndaj politikës dhe mediave që t’i dëgjojnë me kujdes deklaratat para se t’i përsërisin, duke theksuar se kjo ndihmon në përhapjen e një propagande që po përsëritet vazhdimisht.
Ajo u shpreh në lidhje me reagimin e saj ndaj deklaratës së deputetes Time Kadrijaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, duke sqaruar se nuk është e vërtetë që Arlinda Zekaj i është drejtuar Qeverisë, por Prokurorisë.
Gërvalla sqaroi se, sipas informacioneve që kishin deri në atë moment, Zeka kishte dërguar një letër personale kryeprokurores, e cila tani është e suspenduar. “Ju lus është shumë që mos ta trajtojmë si arrogancë, por vërtet është që edhe ne që jemi në krahun politik, edhe jemi në krahun medial, t’i dëgjoni me kujdes deklaratat para se me i përsëritur në mënyrë të vazhdueshme.
Vërtet është shumë e rëndësishme, sepse me apo pa dashje po i kontribuojmë një farë propagande që në vazhdimësi po përsëritet.
Reagimi im ka qenë lidhur me deklaratën e deputetes Time Kadrijaj, e cila në seancën e jashtzakonshme të Kuvendit ka thënë: Arlinda Zeka i është drejtuar Qeverisë dhe Qeveria s’ka ndërmarrë asgjë.
Ai ka qenë reagimi im ndaj asaj deklarate, kam thënë: ‘Nuk është e vërtetë, Alinda Zekaj i është drejtuar Prokurorisë.
Në fakt, nga ato informacione që kishim deri në atë moment, ajo i ishte drejtuar kryeprokurores tashmë të suspenduar me një letër personale.
Dhe kanë thënë: Ajo nuk i është drejtuar Qeverisë, por ne kemi çdo ditë, vijnë në Ministrinë e Drejtësisë, qoftë në Zyrën e Koordinatores, qoftë në kabinetin tim, ankesa të shumta të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët, jo vetëm në rastet e dhunës në familje, por edhe në raste të tjera kur e ndjejnë që drejtësia nuk është e drejtë me ta dhe të cilët na luten t’i ndihmojmë, t’i përkrahim, t’i mbështesim. Çfarë bëjmë ne kur na vjen një adresim nga një qytetar?
Unë s’kam mundësi t’i them gjyqtarit: Shihe këtë rast, sepse unë nuk i ndërhyj gjyqtarit, por ne ulemi me qytetarin, ose përmes komunikimit me shkrim, nuk e di, e dini çdo të martë, në Ministrinë e Drejtësisë, kabineti ministror ka takime me qytetarë”. “Çdo ditë është plot. Çdo ditë ne përpiqemi, për shkak se nuk kemi kompetencë për t’i zgjidhur vetë, po të paktën i dëgjojmë dhe përpiqemi t’i orientojmë dhe t’i adresojmë.
Po këtë e bëj që nga dita e parë kur unë kam shkuar në kabinetin e ministres së drejtësisë.
Prandaj, nuk ka qenë thirrja ime mos ju drejtoni organeve të drejtësisë.
Thirrja ime është që unë e ndjej si obligim si ministre e drejtësisë dhe si koordinatore për çështje të dhunës në familje, që nëse institucionet e drejtësisë keni ndjenjën që nuk po ju dëgjojnë, nuk po i adresojnë temat tuaja, ejani ulemi bashkë, se ndoshta së bashku gjejmë një mundësi pak më të shpejtë për të adresuar dhe orientuar shqetësimin e secilës nga palët që meritojnë mbrojtje”, ka thënë Gërvalla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
