Autoritetet zvicerane kanë nxjerrë një paralajmërim për qytetarët në lidhje me një skemë të re mashtrimi.
Persona të panjohur po dërgojnë letra të falsifikuara në emër të Zyrës Federale të Doganave dhe Sigurisë Kufitare (FOCB).
Sipas njoftimit të tyre zyrtar, në ditët e fundit janë raportuar disa raste të këtij fenomeni, ku qytetarët e kanë marrë në kutitë postare letra që imitojnë pamjen dhe identitetin vizual të institucioneve federale zvicerane.
Në këto letra, ata pretendojnë se marrësit kanë një pako ndërkombëtare që duhet t’i nënshtrohet procedurave doganore dhe se për këtë duhet të paguajnë tarifa përkatëse, sipas raportimeve të 24 heures.
Për të realizuar pagesën, qytetarët kërkohen të skanojnë një kod QR të vendosur në letër.
Megjithatë, pas këtij veprimi fshihet një rrezik serioz: kodi i ridrejton përdoruesit në një faqe interneti mashtruese, e cila është krijuar për të vjedhur të dhënat personale dhe ato bankare të viktimave.
