Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, mori pjesë në Forumin V të Kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Shteteve të Ballkanit, që u mbajt në Antalya të Turqisë, me ftesë të Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Supreme të Apelit të Republikës së Turqisë, Muhsin Çentürk.
Në këtë forum, Kosovën e përfaqësuan edhe prokurorja Elza Bajrami-Kastrati, anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe Arianit Salihu, zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në kuadër të sesionit të prezantimeve, prokurorja Bajrami-Kastrati trajtoi temën “Roli dhe kompetencat e autoriteteve prokuroriale në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar”, duke theksuar rëndësinë e rolit të institucioneve prokuroriale në adresimin e këtyre sfidave. “Forumi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive të vendeve të Ballkanit në fushën e drejtësisë penale.
Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Turqisë, Eurojust-it dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve, si dhe kryeprokurorë e prokurorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtete të tjera, përfshirë Bullgarinë, Slloveninë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë”, thuhet në njoftim. “Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve prokuroriale të vendeve të rajonit është thelbësor për të përballuar me sukses sfidat e përbashkëta kriminale.
Shkëmbimi i përvojave, koordinimi institucional dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar janë hapa të rëndësishëm drejt një sistemi të drejtësisë penale më efikas dhe më të qëndrueshëm”.
Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me institucionet homologe, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
