Kombëtarja e Zvicrës do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve gjatë muajit nëntor, ku do të përballet me Slloveninë dhe Skocinë.
Megjithatë, Federata e Futbollit të Zvicrës ka bërë të ditur se stadiumi ku do të luhet ndeshja ndaj Sllovenisë, e cila është planifikuar për 13 nëntor, është ndryshuar.
Takimi fillimisht ishte paraparë të zhvillohej në kryeqytetin slloven, Lubjanë, por për shkak të gjendjes së fushës, është vendosur që ndeshja të zhvendoset në Maribor, në stadiumin “Ljudski vrt”. “Për shkak të përdorimit të madh të fushës, periudhës së vitit dhe kushteve atmosferike, të cilat e ngadalësojnë ndjeshëm rritjen e barit, fusha nuk do të jetë në gjendje optimale deri në ditën e ndeshjes, pavarësisht mirëmbajtjes intensive dhe punimeve për rinovim”, është shprehur Federata e Futbollit të Zvicrës.
Data dhe ora e ndeshjes mbeten të pandryshuara.
Tifozët që kanë blerë tashmë bileta do të informohen për ndryshimin e stadiumit dhe do të pajisen me bileta të reja për sektorin e tifozëve zviceranë në Maribor, D4, deri më 2 nëntor.
Ky ndryshim vjen pas shqetësimeve të mëparshme të përzgjedhësit të Zvicrës, Murat Yakin, për gjendjen e fushave ku është stërvitur dhe ka luajtur ekipi i tij.
Gjatë grumbullimit të parë të këtij sezoni, Yakin kishte kritikuar gjendjen e fushës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar barin tepër të gjatë. “Kur e sheh një fushë me bar shtatë centimetra të gjatë, jemi të lumtur që arritëm të stërviteshim në Turqi.
Do të isha i kënaqur sikur bari të pritej, sepse në kushte të tilla nuk mund të luash futboll”, kishte deklaruar Yakin.
Edhe në Luzern, trajneri zviceran nuk ishte i kënaqur me gjendjen e fushës para ndeshjeve ndaj Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Për ne kjo nuk është diçka e re, jemi mësuar me këtë në Zvicër.
Përjashtim bën St.
Galleni, ku fusha është gjithmonë e mirë.
Këto janë pasojat e motit dhe lagështisë.
Sigurisht që nuk është ideale”, ishte shprehur ai.
