Tubimi i presidentit amerikan Donald Trump në Ohajo u ndërpre nga dy protestues që ngritën çështjen e Jeffrey Epstein, një person i dënuar për vepra seksuale, i cili ndërroi jetë në vitin 2019.
Njëri nga protestuesit ndërhyri pak minuta pas fillimit të fjalimit të Trumpit, duke bërtitur: “Trumpi udhëtoi me avionin e Jeffrey Epstein”.
Turma reagoi me brohoritje, ndërsa presidenti iu përgjigj ndërprerjes.
Trump pretendoi se e kishte përjashtuar Epstein nga klubi i tij Mar-a-Lago në Florida më shumë se dy dekada më parë. “E përzura Jeffrey Epstein nga klubi 25 vjet më parë, sepse mendoja se ishte një njeri i çmendur.
Ishte një gjë shumë e mirë që bëra”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan mohoi se Epstein kishte udhëtuar me të dhe u përpoq ta lidhte financierin me demokratët. “Ai nuk ka udhëtuar kurrë me mua.
E dini me kë udhëtonte?
Me të gjithë miqtë e demokratëve.
Ai ishte demokrat”, tha Trump.
Ai pretendoi gjithashtu se ishte “plotësisht i shfajësuar” lidhur me çështjen Epstein.
Më pas, Trump i cilësoi protestuesit si “protestues të paguar” dhe “humbës”.
Ndërprerjet ndodhën në një kohë kur po shtohen thirrjet publike për publikimin e dokumenteve që lidhen me Epstein, i cili u arrestua në vitin 2019 nën akuza federale për trafikim seksual.
