Në Gjykatën e Apelit ka filluar seanca e Kolegjit, ku do të shqyrtohen ankesat në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që shpalli fajtorë dhe dënoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademaj më 29 nëntor 2023.
Gjykata Themelore i dënoi Murselin dhe Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kokallën me 30 vjet burgim.
Ankesa, e cila ka një volum prej 30 faqesh, është dorëzuar nga dy avokatët e Murselit dhe kërkon anulimin e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Në këtë ankesë, mbrojtja argumenton se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në një mënyrë të njëanshme dhe selektive.
Gjithashtu, mbrojtja ngre pretendime lidhur me mënyrën se si policia e ka marrë në pyetje Murselin.
Avokatët gjithashtu pretendojnë se gjykata nuk i ka marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Leotrim Syla, avokati i të ndjerës Liridona Ademaj, gjithashtu ka deponuar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Ai i ka kërkuar Kolegjit të Apelit që, përveç Naim Murselit dhe Granit Plavës, të dënohet me burgim të përjetshëm edhe Kushtrim Kokalla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
