Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se ka filluar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri. “Po e konfirmoj”, ka thënë shkurt Gashi.
Ky vendim vjen pas ngjarjeve të fundit lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, që ka bërë të ngrihen pyetje mbi mënyrën se si institucionet e drejtësisë kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e thirrur nga kryeprokurori Gashi.
Procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Rasti i 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.
Me iniciimin e procedurës disiplinore dhe rekomandimin për suspendim, pritet që mekanizmat kompetentë të shqyrtojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit.
Po ashtu, lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e saj.
IPK ka konfirmuar se, me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, do të shqyrtojë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën, kohën e reagimit, si dhe veprimet apo mosveprimet eventuale gjatë trajtimit të rasteve të raportuara.
Hetimet synojnë të vlerësojnë nëse zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe të identifikojnë përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, sidomos pas publikimit të audio-incizimeve ku Arlinda dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga policia.
Në një prej materialeve të publikuara, ajo i drejtohet një zyrtari me fjalët: “Faruk, jam lodh, të lutem”, ndërsa në komunikim dëgjohet edhe shprehja “nuk të pranoj më”.
Tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj, sipas raportimeve të publikuara në media.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
