Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara në Kosovë do të vazhdojnë sot, më 29 tetor, edhe në Pejë, përveç Prishtinës dhe Ferizajt.
Iniciativa “Peja Nuk Hesht” ka njoftuar se protesta do të organizohet në bashkëpunim me QIKA-n dhe Rrjetin e Grave të Kosovës.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje: Peja nuk hesht!
Kërkojmë drejtësi për Arlinda Zekaj!
Sheshi Skenderbeu, në Pejë, ora 12:00.
Ditët e fundit kemi parë një zinxhir dështimesh institucionale që përfunduan me vrasjen e Arlinda Zekaj.
Vetëm pak pasi u shoqërua nga policia në shtëpi, ajo u vra mizorisht me sopatë nga kunati i saj.
Ky rast i femicidit ishte dokumentuar nga e ndjera me një seri ankesash për papërgjegjshmërinë e Prokurorisë, Policisë së Kosovës dhe Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Rasti i Arlindës është i shtati i raportuar i femicidit për këtë vit.
Ne, si bashkëqytetarë, nuk mund të heshtim derisa gratë vazhdojnë të vriten padrejtësisht.
Solidarisht, ne edhe më tej do të jehojmë kërkesat e protestës kombëtare që do të mbahet të mërkurën, në ora 16:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, e thirrur nga Kolektivi Feminist për Mendim dhe Veprim Feminist.
Vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare!
Për Arlindën, për çdo grua, për drejtësi dhe llogaridhënie institucionale!
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
