Real Madridi po planifikon një tjetër goditje të madhe në tregun e transferimeve me yllin e Arsenalit, Bukayo Saka, i cili është shndërruar në një nga objektivat kryesorë të presidentit Florentino Perez për përforcimin e repartit ofensiv.
Sipas mediumit gjerman Fussball News, drejtuesit e klubit madrilen po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të reprezentuesit anglez, për të cilin do të nevojitet një investim prej të paktën 150 milionë eurosh.
Raportohet se skautët e Real Madridit kanë përgatitur tashmë raporte të detajuara mbi paraqitjet, karakteristikat taktike dhe gjendjen fizike të 25-vjeçarit, duke hedhur bazat për kontaktet e para me përfaqësuesit e tij.
Interesimi për Sakan lidhet edhe me pasigurinë që rrethon të ardhmen e Rodrygo Goes dhe Brahim Diaz, dy futbollistë që mund të largohen nga Santiago Bernabeu në afatet e ardhshme kalimtare.
Pavarësisht se skuadra e Jose Mourinhos po kalon një periudhë pozitive, veçanërisht pas fitores ndaj Barcelonës në El Clasico, drejtuesit madrilenë besojnë se nevojitet një tjetër përforcim i nivelit botëror në repartin ofensiv.
Saka konsiderohet një profil ideal falë shpejtësisë, kreativitetit dhe aftësisë për të krijuar raste e për të shënuar gola.
Anglezi ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Arsenalit gjatë viteve të fundit.
Në edicionin e kaluar të Ligës Premier, ai regjistroi shtatë gola dhe pesë asistime, ndërsa realizoi edhe tri herë në Ligën e Kampionëve.
Këtë sezon, 25-vjeçari ka shënuar tri gola në shtatë paraqitje në kampionat, përpara se të pësonte një dëmtim muskulor në përballjen me Bayern Munichun.
Megjithatë, realizimi i këtij transferimi pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë, pasi Arsenali nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej futbollistëve më të rëndësishëm të projektit të tij.
Klubi londinez e ka siguruar të ardhmen e anglezit me një kontratë deri në qershor të vitit 2030, ndërsa paga e tij tejkalon 300 mijë funte në javë, apo rreth 18.6 milionë euro në vit.
Sipas raportimeve, Arsenali do të ishte i gatshëm të shqyrtonte vetëm oferta që nisin nga 150 deri në 160 milionë euro, një shumë që do ta kthente transferimin e mundshëm në një prej operacioneve më të mëdha financiare të Real Madridit në vitet e fundit.
