Beatrice Keul, ish-modele dhe pjesëmarrëse në konkursin e bukurisë Miss Switzerland, ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se e ka përdhunuar në vitin 1993, në hotelin Plaza në New York.
Këto pretendime janë përfshirë në një raport të publikuar nga demokratët në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili gjithashtu shqyrton lidhjet e pretenduara të Trumpit me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas raportit, Keul ka deklaruar se incidenti ndodhi në nëntor të vitit 1993, kur ajo ishte 24 vjeçe dhe kishte marrë pjesë në një aktivitet të organizuar për një konkurs bukurie në hotelin Plaza, i cili atëherë ishte nën pronësinë e Trumpit.
Në dëshminë e saj, ajo pretendohet se Trump i kishte premtuar ndihmën për të siguruar vizë për në Shtetet e Bashkuara dhe për t’u pranuar në Universitetin e New Yorkut (NYU).
Më vonë, sipas raportit, një përfaqësues i Trumpit e kishte ftuar të takohej me të në një suitë të hotelit. “Me të hyrë brenda, Trump dyshohet se e kapi Keulin nga pas dhe e përdhunoi me forcë, duke ia shqyer fustanin dhe duke i shkaktuar gjakderdhje dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit,” thuhet në raport, ku përshkrimi i saj për sulmin e pretenduar cilësohet si “brutal.” Raporti gjithashtu pretendon se, pas incidentit, Trump i kishte përsëritur premtimet për vizën dhe pranimin në universitet, ndërsa i kishte kërkuar që të heshtte.
Në tetor të vitit 2024, Keul kishte folur publikisht për herë të parë për atë që, sipas saj, kishte ndodhur në hotelin Plaza.
Në atë kohë, ajo e kishte akuzuar Trumpin për ngacmim seksual, duke deklaruar se ai e kishte puthur dhe prekur pa pëlqimin e saj, por se kishte arritur ta ndalte situatën para se ajo të përshkallëzohej në atë mënyrë që përshkruhet në raportin e fundit.
Pretendimet e reja janë bërë publike në kuadër të një raporti të demokratëve në Kongresin amerikan, i cili përmbledh akuza të ndryshme për sjellje të pahijshme seksuale ndaj Trumpit dhe shqyrton lidhjet e tij të mëparshme me Epstein.
Shtëpia e Bardhë i ka mohuar akuzat, duke e cilësuar raportin si një përpjekje politike të demokratëve për të dëmtuar presidentin.
Një zëdhënës i saj e ka përshkruar pretendimin si të pavërtetë dhe ka thënë se ato synojnë të shpërqendrojnë opinionin publik.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
