Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, komuna ka kërkuar një verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet kanë pasur lidhur me këtë rast.
Në një postim në Facebook, Muhaxheri shprehu ngushëllime për familjen e Zekajt, duke e cilësuar këtë rast si një alarm për shoqërinë dhe mekanizmat institucionalë. “Pasi pamë shqetësimet dhe thirrjet e saj të fundit publike e institucionale, kemi kërkuar menjëherë një pasqyrë dhe verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet tona kanë pasur në këtë rast.
Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë”, theksoi Muhaxheri.
Ai shtoi se angazhimi për mbrojtjen e grave dhe për të siguruar që asnjë thirrje për ndihmë të mos mbetet pa përgjigje do të vazhdojë, dhe komuna do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit. “Tragjedia e ndodhur në Vitomiricë të Pejës na ka tronditur thellë të gjithëve.
Humbja e jetës së Arlinda Zekajt është një dhimbje e madhe për familjen, por edhe një kambanë e fortë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe mekanizmat tanë institucionalë”, përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
