Gazetari i njohur francez, Bertrand Latour, ka shkaktuar reagime të forta me deklaratat e tij rreth mundësisë që Kylian Mbappe të shpallet fitues i Topit të Artë për vitin 2026.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Canal Football Club” në Canal+, Latour ka kritikuar ashpër këtë mundësi, duke argumentuar se mungesa e trofeve të rëndësishëm kolektivë nuk e justifikon një vlerësim të tillë individual.
Ai theksoi se Topi i Artë nuk duhet të bazohet vetëm në paraqitjet individuale, por edhe në sukseset që një futbollist arrin me skuadrën e tij gjatë vitit. “Ju të gjithë po prisni vetëm një gjë, që ai ta fitojë Topin e Artë në një vit kur nuk ka fituar asgjë”, deklaroi Latour.
Më tej, ai e cilësoi një triumf të mundshëm të Mbappes si një vendim të turpshëm për prestigjin e këtij çmimi. “Po jua them qartë, ai do të ishte një Top i Artë i turpshëm”, vazhdoi gazetari francez.
Latour zbuloi gjithashtu se kishte diskutuar për këtë çështje me një mik të tij të afërt, i cili do të ketë rolin e prezantuesit të çmimit në ceremoninë e këtij viti. “Personi që do ta dorëzojë Topin e Artë është një nga miqtë e mi më të mirë, prandaj jam shumë i qetë.
I thashë se nëse ia jepni atij, do të jetë Topi i Artë i turpit.
Shpresoj që gazetari francez të marrë një vendim me gjykim të kthjellët”, u shpreh ai.
Këto deklarata vijnë në prag të ceremonisë së Topit të Artë 2026, e cila është planifikuar të mbahet të hënën, më 26 tetor.
