Skuadra angleze ka arritur vetëm një fitore në tetë ndeshjet e para të kampionatit, duke regjistruar katër barazime dhe tri humbje.
Me vetëm shtatë pikë të grumbulluara, Manchester United renditet në vendin e 16-të, plot 14 pikë prapa liderit të tabelës.
Sipas BBC-së, humbja e fundit përballë Bournemouthit e ka bërë pozita e trajnerit Carrick gjithnjë e më të pasigurt, ndërsa drejtuesit e klubit po përballen me një situatë të vështirë për vazhdimësinë e sezonit.
Carrick mori drejtimin e Manchester Unitedit në janar pas largimit të Ruben Amorimit.
Fillimisht ishte emëruar trajner i përkohshëm, por rezultatet pozitive dhe sigurimi i vendit të tretë në Ligën Premier, që mundësoi kualifikimin në Ligën e Kampionëve, bindën drejtuesit që në maj t’i ofronin një kontratë të përhershme.
Megjithatë, fillimi i sezonit të ri ka qenë krejtësisht ndryshe.
Unitedi nuk ka arritur të regjistrojë asnjë fitore në kampionat që nga 30 gushti, kur mposhti Ipswichin me rezultat 5-2.
Që atëherë, skuadra ka hyrë në një krizë të thellë rezultatesh, që mund t’i kushtojë Carrickut vendin e punës.
Statistikat tregojnë qartë përmasat e krizës që ka përfshirë klubin nga ‘Old Trafford’.
Shtatë pikët e grumbulluara në tetë ndeshjet e para janë fillimi më i dobët i Manchester Unitedit në këtë fazë të kampionatit që nga sezoni 1986/87, kur kishte siguruar vetëm katër pikë.
Humbja 3-0 ndaj Bournemouthit ishte gjithashtu më e rëndë në shtëpi në Ligën Premier që nga dhjetori i vitit 2024, kur ky kundërshtar kishte triumfuar po me rezultat identik në ‘Old Trafford’.
Për Bournemouthin, kjo ishte fitorja e tretë në udhëtim ndaj Manchester Unitedit me të paktën tri gola epërsi.
Që nga themelimi i Ligës Premier në sezonin 1992/93, vetëm Liverpooli ka regjistruar më shumë fitore të tilla në Old Trafford, gjithsej katër.
Një tjetër statistikë shqetësuese është se Manchester Unitedi nuk ka fituar në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke regjistruar tri barazime dhe pesë humbje.
Një seri kaq negative u regjistrua për herë të fundit gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2015.
Gjatë kësaj periudhe, Unitedi ka pësuar dy herë nga dy humbje radhazi, ndonëse gjatë gjithë sezonit të kaluar 2025/26 nuk kishte regjistruar dy disfata të njëpasnjëshme në kampionat.
Edhe më shqetësues është bilanci i ndeshjeve në Old Trafford.
Që nga fillimi i sezonit 2023/24, asnjë skuadër e Ligës Premier nuk ka pësuar më shumë humbje në shtëpi me të paktën tri gola diferencë në të gjitha garat sesa Manchester Unitedi, që numëron plot shtatë disfata të tilla.
Këto statistika dëshmojnë se problemet e klubit nuk janë vetëm pasojë e rezultateve të javëve të fundit, por janë pjesë e një krize më të gjatë.
