Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka shprehur një pikëllim të thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e Kosovës, duke shprehur frikën se jeta e saj ishte në rrezik për shkak të dhunës në familje.
Në reagimin e saj, ambasada thekson se asnjë grua që kërkon ndihmë nga institucionet nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e nevojshme. “Askush që ndërmerr hapin e guximshëm për të kërkuar ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje”, thekson ambasada.
Ambasada britanike e nënvizon se gratë që përballen me rrezikun e dhunës në familje duhet të marrin mbështetje të duhur për të qenë të sigurta, duke e konsideruar mbrojtjen e tyre si një çështje themelore të sigurisë.
Sipas ambasadës, rasti i Arlinda Zekajt rikthen në vëmendje nevojën për veprime konkrete institucionale, në mënyrë që gratë që përjetojnë dhunë të jenë në qendër të reagimeve dhe mbrojtjes.
Në reagim theksohet gjithashtu rëndësia e koordinimit efektiv ndërmjet institucioneve, llogaridhënies për veprimet dhe mosveprimet, si dhe garantimin e qasjes në drejtësi.
Në fund, Ambasada e Britanisë së Madhe shprehu ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Arlinda Zekajt, duke shpresuar që drejtësia të vihet në vend.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
