Serbia po zhvillon zgjedhjet parlamentare në një atmosferë të tensionuar politike, me shpresën për ndryshime në skenën e saj politike.
Analistët besojnë se një pjesëmarrje e lartë në votim mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe në të ardhmen politike të vendit.
Në këto zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës po garojnë me një listë të përbashkët, dhe pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme për numrin e mandateve që mund të sigurojnë në Parlament.
Sot, në Serbi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat shoqërohen me një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe pritje për ndryshime në politikën e vendit.
Më shumë se 6 milionë e 450 mijë qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa 18 lista zgjedhore garojnë për 250 ulëset e Parlamentit të Serbisë.
Këto zgjedhje po zhvillohen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe protestash të udhëhequra nga studentët kundër pushtetit shumëvjeçar të Aleksandar Vuçiqit.
Analisti politik Dorajet Imeri thekson se mobilizimi i madh i qytetarëve mund ta bëjë këtë proces zgjedhor një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Serbisë. “Këto zgjedhje mund të konsiderohen të një rëndësie historike për Serbinë, sepse mundësia reale që Serbia të ketë ndryshim politik ose në kursin e saj, mund të jetë shumë e madhe.
Për këtë janë dy arsye, dalja masive në zgjedhje dhe mobilizimi i gjithëmbarshëm i shoqërisë në Serbi për të ndryshuar regjimin politik atje,” ka shpjeguar Imeri.
Përveç garës midis pushtetit dhe opozitës, vëmendja është përqendruar edhe te vota e komuniteteve pakicë, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas analistit Imeri, pjesëmarrja e shqiptarëve është e rëndësishme jo vetëm për numrin e mandateve që mund të fitojnë, por gjithashtu për rolin që përfaqësuesit e tyre mund të kenë në përbërjen e ardhshme parlamentare. “Edhe për shqiptarët në Serbi është shumë e rëndësishme që të ketë dalje sa më masive në zgjedhje dhe dalja e tyre natyrisht që do të reflektohet në mandatet politike që do të fitohen në Parlamentin e Serbisë.
Dhe nëse eventualisht rezultati është i ngushtë në mes krahëve politikë atje, rëndësia e minoriteteve pastaj bëhet përcaktuese për formimin e qeverisë,” ka shtuar Imeri.
Bashkimi i subjekteve shqiptare në një listë të përbashkët erdhi pas një marrëveshjeje të arritur me ndërmjetësimin e kryeministrit Kurti, në fund të shtatorit në Prishtinë.
Në zgjedhjet e vitit 2020, kur partitë shqiptare garuan të bashkuara, arrinë të sigurojnë tri ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Këtë herë, synimi është që të rritet përfaqësimi dhe të adresohen çështjet me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, përfshirë pasivizimin e adresave, arsimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
