Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë votuar për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Serbisë.
Përmes një liste të përbashkët zgjedhore, ata synojnë të forcojnë zërin e tyre në institucionet shtetërore të Serbisë dhe të sigurojnë përfaqësim më të fuqishëm të banorëve të Luginës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, që u mbajtën më 25 tetor, bashkuan të gjitha partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci e Medvegja.
Qytetarët që dolën të votojnë shprehën pritjet e tyre nga përfaqësuesit politikë për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të avancuar kërkesat e komunitetit shqiptar. “Duhet të jemi sa më të bashkuar dhe të dalim sa më shumë në këto zgjedhje, pasi Serbisë nuk i konvenon kjo dhe duhet të jemi sa më të organizuar”, tha një qytetar.
Një tjetër qytetar theksoi: “Besoj se do të ketë kyçje në legjislaturën e re dhe pres nga deputetët të ngrenë shumë nga çështjet, si pasivizimi dhe kyçja e shqiptarëve në organet shtetërore”.
Një qytetar tjetër shprehu besimin se “me koalicionin e përbashkët, kanë me u vetëdijesuar më shumë dhe kanë me pas përkrahje më të madhe prej popullit”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, bëri thirrje për mbështetje nga qytetarët, duke thënë: “Ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, e gjithashtu edhe të Sanxhakut, që të dalin sa më masovikisht dhe të mbështesin listën me të cilën do të dëgjohet zëri i shqiptarëve në parlament”.
Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe mungesa e investimeve në komunat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të këtij komuniteti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
