Pensionet e zyrtarëve policorë në Kosovë vazhdojnë të jenë një çështje e pazgjidhur, prandaj Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkojnë një trajtim më dinjitoz.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, në një bisedë për Ekonomia Online, është angazhuar për përmirësimin e kushteve të punës për personelin e sigurisë.
Ajo thekson se është e rëndësishme që këta punëtorë të trajtohen me dinjitet, duke përfshirë jo vetëm kushtet bazike të punës, por gjithashtu mbrojtjen shëndetësore dhe jetësore, si dhe trajtimin pas pensionimit. “Edhe në këtë mandat do të vazhdoj me insistu që një shtet i sigurt është një shtet ku personeli i sigurisë dhe mbrojtjes është i trajtuar dinjitetshëm, që nga çështjet më teknike që edhe ju i përmendët, te veshmbathja, orët shtesë e kështu me radhë, e deri te ato që janë shumë të rëndësishme dhe kyçe për ta bërë punën ashtu si duhet.
Karshi rrezikut që u kanoset në baza ditore, ajo është sigurimi shëndetësor dhe jetësor, por përtej kësaj edhe forma se si trajtohen pas pensionimit”, tha Kabashi-Ramaj.
Ajo e vlerëson situatën e pensioneve të policëve si urgjente, duke theksuar se niveli i tyre është i padinjitetshëm.
Sipas saj, është e nevojshme të ketë një trajtim të duhur edhe për ata që shërbejnë në shërbimin inteligjent pas pensionimit. “Ne e dimë shumë mirë që pensionet për Policinë e Republikës së Kosovës janë të padinjitetshme dhe duhet adresuar sa më shpejt.
Natyrisht, duhet adresuar edhe forma se si trajtohen të gjithë ata që shërbejnë në shërbimin inteligjent, sepse pas pensionimit nga shërbimi inteligjent, këta punëtorë që i kanë shërbyer vendit me kaq zell duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe nuk duhet të bien pre potencialisht e armiqve të vendit”, ka deklaruar ajo.
Kabashi-Ramaj ka theksuar se angazhimi për përmirësimin e kushteve të personelit të sigurisë do të jetë një prioritet në këtë mandat, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë mandateve të fundit ka propozuar amendamente për të siguruar mbrojtjen shëndetësore dhe jetësore për këta punëtorë. “Prandaj, edhe në mandatet e fundit, i kam kushtuar shumë kujdes dhe kam propozuar amendamente specifike, fillimisht në buxhetin që është propozuar, ndryshimet buxhetore të cilat kanë pasur për qëllim t’u ofrojnë të gjithë personelit të sigurisë dhe mbrojtjes sigurime shëndetësore e jetësore.
Por mandej edhe në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, të dy tentativat kanë dështuar për shkak se nuk ka pasur përkrahje prej deputetëve të pozitës, në këtë rast deputetëve të Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka ngritur shqetësimin për mungesën e uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për policët.
Ajo ka theksuar se kjo çështje është diskutuar edhe në mandatin e kaluar, por shqetësimet nuk janë marrë parasysh nga Qeveria. “Ne kemi ngritur këtë shqetësim edhe në mandatet e kaluara, sepse kemi kontakte të vazhdueshme me Policinë e Kosovës.
Kemi miq, ndoshta kemi edhe familjarë.
Edhe vërtet ka qenë shqetësuese, sepse kanë mungesë të uniformave, kanë mungesë të këpucëve dhe ata detyrohen me pagat e veta, ekstra, me i ble edhe pjesë të uniformës, këmisha, ndoshta edhe këpucë, në mënyrë që të vazhdojnë punën”, ka deklaruar Kadrijaj.
Deputetja e Aleancës ka kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të sigurojnë kushte të përshtatshme për pjesëtarët e Policisë dhe Ushtrisë, duke përfshirë uniformat dhe mjetet e nevojshme për ushtrimin e detyrave. “Ne e kemi ngritur këtë shqetësim dhe shqetësimi nuk është marrë për bazë nga kjo qeveri.
Edhe unë mendoj që këta duhet të reflektojnë, t’i trajtojnë me dinjitet edhe Policinë e Kosovës, edhe Ushtrinë e Kosovës, t’i pajisin me uniforma, t’i pajisin me mjetet adekuate që duhen për një polici moderne.
Njëjtë kjo vlen edhe për Ushtrinë e Kosovës, por edhe për Shërbimin Korrektues, zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë që vërtet, kur kemi nevojë, janë në krye të detyrës.
Atëherë, nëse ata janë forca jonë, nëse ata janë mbrojtja jonë, ne duhet t’i trajtojmë me dinjitet”, ka thënë Kadrijaj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
