Të paktën 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi të armatosur në fshatin e largët Binnari, në shtetin Taraba, në verilindje të Nigerisë.
Sulmuesit kanë plaçkitur dyqane dhe kanë vënë zjarrin shtëpive, ndërsa ka frikë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Policia ka njoftuar se ka gjetur 10 trupa me plagë nga armët e zjarrit, pasi iu përgjigj një thirrjeje për ndihmë.
Sipas autoriteteve, sulmuesit ishin larguar para mbërritjes së forcave të sigurisë, të cilat vazhduan patrullimet në zonë dhe kërkimet për viktima të tjera në shkurret përreth.
Sulmi ndodhi të premten, pak pas lutjeve të mesditës, në zonën e Karim Lamido.
Dëshmitarët tregojnë se persona të armatosur kanë mbërritur me motoçikleta dhe kanë terrorizuar fshatin për deri në katër orë. “Arritëm t’i shpërndanim personat e armatosur, por nuk pati viktima as në radhët e tyre, as në tonat, pasi terreni është i vështirë dhe ata e njohin mirë zonën,” tha zëvendësinspektori i policisë, Victor Mshelizah, për BBC-në.
