Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të angazhohen në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, i cili është me numër 17 në fletëvotim.
Në një postim në Facebook, Kurti thekson se shqiptarët e këtyre tri komunave kanë të drejtë të ndërtojnë jetën në vendlindje dhe të kenë mundësi të barabarta.
Ai vlerëson se diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje demokratike, duke ftuar qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. “Gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar”, shkruan Kurti.
Ai gjithashtu u bën thirrje bashkëkombësve që jetojnë në Luginën e Preshevës të dalin në votime dhe të mbështesin listën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare.
Kurti informon se më 29 shtator kishte pritur në zyrën e tij drejtuesit e subjekteve politike shqiptare, takim që, sipas tij, përfundoi me marrëveshjen për garim të përbashkët në listën “Koalicioni Shqiptar”. “Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, përfundon Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
