BallinaPolitikShqiptarët e Luginës së Preshevës: Thirrje për Mobilizim në Zgjedhjet Parlamentare në...

Shqiptarët e Luginës së Preshevës: Thirrje për Mobilizim në Zgjedhjet Parlamentare në Serbi

- Advertisement -

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë vendosur të intensifikojnë përfaqësimin e tyre politik në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi.

Përfaqësuesit shqiptarë, të angazhuar në një listë të përbashkët zgjedhore, i bëjnë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime. “Jashtëzakonisht unë e vlerësoj këtë unitet, sepse për bashkimin e forcave politike për të pasur sa më shumë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë ka një peshë dhe një vlerë të madhe.

Andaj, me të dielën, me 25 tetor, unë ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës kudo që janë, qoftë që janë këtu, qoftë ata që gjenden në Republikën e Kosovës ose edhe në diasporë, të vijnë masivisht edhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë demokratik dhe për të çuar mesazhin e tyre për të përfaqësuar denjësisht, për të pasur përfaqësues të denjë në Parlamentin e Serbisë, për të mbrojtur të drejtat tona, për të afirmuar pozitën tonë dhe për të sensibilizuar gjendjen dhe pozitën aktuale me të cilën përballemi, duke e ditur se me çfarë diskriminimi, me çfarë shkelje sistematike dhe me çfarë shpërngulje masive jemi duke u përballur,” tha Ardita Sinani, kryetare e Preshevës.

Një pjesëmarrje e lartë në votime shihet si një mundësi për të fuqizuar zërin e shqiptarëve dhe për të ngritur çështjet që i shqetësojnë ata. “Këto zëra që do të jenë në Parlamentin e Serbisë do të jenë zëra të fuqishëm që do t’i kontribuojnë çështjes kombëtare apo të drejtave elementare që i takojnë pakicës kombëtare shqiptare që jetojnë në Serbi.

Pra, është e domosdoshme të jemi bashkë, është e domosdoshme t’i japim fuqinë maksimale që e ka elektorati ynë në Luginë të Preshevës, gjithashtu edhe në Sanxhak, ku për herë të parë në Sanxhak është edhe një kandidate nga Sanxhaku, një shqiptare kandidate nga Sanxhaku.

Dhe mendoj që ne duhet fuqishëm të mbizotërojmë, të dalim në vota dhe të fitojmë ato që i meritojmë,” tha Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Mosnjohja e diplomave të Kosovës, pasivizimi i adresave dhe mungesa e investimeve janë disa nga problemet kryesore që përballen shqiptarët në Luginë.

Përfaqësimi institucional dhe bashkërendimi politik janë thelbësore për adresimin e këtyre çështjeve. “Koalicioni Shqiptar me numër 17 tashmë këtë bashkim e kanë shpërndarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e madje në çdo lagje, në çdo shtëpi.

Mobilizimi i shqiptarëve është në nivelin më të lartë në mënyrë që t’i japim përgjigje Serbisë, t’i japim përgjigje Vuçiqit për diskriminimin që po u bën shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” tha Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.

Në këtë proces zgjedhor, mobilizimi i qytetarëve dhe unifikimi i përfaqësimit shqiptar mbeten ndër synimet kryesore, me shpresën se kërkesat e tyre do të marrin më shumë vëmendje në institucionet e Serbisë.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments