Gjashtë muaj pas përfundimit të procesit gjyqësor në shkallën e parë, familja e Liridona Ademajt do të përballet sërish me të dënuarit për vrasjen e saj në gjykatë.
Javën e ardhshme, Gjykata e Apelit do të mbajë një seancë, pasi avokatët e Naim Murselit dhe Granit Plavës, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm, kanë ankuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, seanca e kolegjit të Apelit lidhur me këtë çështje penale është caktuar më 29 tetor 2026, në ora 09:50.” – Gjykata e Apelit.
Familja e Liridonës pret që vendimi i Gjykatës Themelore të mbetet në fuqi. “Ne e kemi parë ankesën e të gjithëve.
Sa i përket ankesës së Naim Murselit, ai për gati 3 vite vazhdimisht në seanca ka thënë që nuk ka qenë i përfshirë në këtë vrasje makabre.
Tash, kur kemi një vendim gjykate, ai pajtohet plotësisht me dënimin, por kërkon një dënim më të lehtë.
Prandaj, një krimineli të tillë nuk duhet as t’i besohet e as t’i ulet dënimi.
Ne si familje e mbështesim fuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore dhe jemi pas saj. Çdo vendim tjetër e cenon dhe e denigron Liridonën dhe të gjitha viktimat e femicidit.
Mesazhi duhet të jetë i qartë: kriminelët duhet të kalben në burg dhe të gjithë ata që tentojnë të ngrisin duart mbi nënat dhe motrat tona t’i presin të njëjtin vendim me burgim të përjetshëm.” – Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit 124 faqesh të Themelores, me të gjitha provat materiale e dëshmitë e dëshmitarëve, është provuar se Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, kishte organizuar vrasjen. “Lidhjen shkakore në mes veprimeve të të akuzuarve dhe pasojës fatale në këtë rast penal, dhe dashjen e lartë të të akuzuarve Naim Murseli dhe Granit Plava, si dhe ndihmën e të akuzuarit Kushtrim Kokalla në privimin e jetës së të ndjerës Liridona Ademaj, e kanë vërtetuar provat materiale, të cilat kanë fuqizuar, kompletuar dhe formësuar Institutin e bashkëkryerjes dhe asaj të ndihmës.
Nga këto prova është gjetur saktë se dëshira e të akuzuarit Naim Murseli ishte aq e lartë sa që i mungonte vetëm një person për ta ekzekutuar.
Ndërkaq, pas shpalosjes së idesë për ekzekutim tek i akuzuari Kushtrim Kokalla, si familjar i të akuzuarit Naim dhe si person që kishte biseduar e qëndruar më së shumti gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë, ai e ka ndihmuar Naim Murselin duke ia gjetur dhe njoftuar me të akuzuarin Granit Plava, i cili, për shkak të shpërblimit të premtuar, ndërmerr veprimet makabre duke e ekzekutuar Liridonën në karrigen e pasagjeres në veturën BMË, së bashku me Naimin dhe dy fëmijët e saj.” – Aktgjykimi i Gjykatës.
Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Plava u akuzua për shkrepjen e armës ndaj Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Avokati i Plavës, Skender Gojani, kërkon një vendim ndryshe nga ai i Gjykatës Themelore dhe tregon se çfarë përmban ankesa e drejtuar në Gjykatën e Apelit. “Ankesa mbështetet në pretendime për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal, si dhe vendim të gabuar mbi sanksionin penal.
Në kuadër të ankesës kemi paraqitur argumentet tona juridike, duke përfshirë kundërshtimet lidhur me mënyrën e vlerësimit të provave dhe arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.” – Skender Gojani, avokat i Granit Plavës.
Përveç Murselit dhe Plavës, që u dënuan me burgim të përjetshëm, Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
