Irani i Gatshëm për Diplomaci me SHBA-në, Por Parashikon Rrezikun e Sulmeve
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar rrugën diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ndërsa njëkohësisht është i përgatitur të mbrohet në rast të një sulmi të ri ushtarak.
Në një intervistë për televizionin irakian Al-Ekhbariya, Araghchi theksoi se kontaktet diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit po vazhdojnë përmes vendeve ndërmjetësuese, si Pakistan dhe Katar.
Ai njoftoi se Irani ka paraqitur SHBA-së një nismë shtatëditore, sipas së cilës Ngushtica e Hormuzit do të rihapej plotësisht në ditën e gjashtë, nëse Uashingtoni pranon kushtet e Teheranit.
Sipas Araghchit, pala amerikane ka konfirmuar se i pranon kushtet iraniane, por ka kërkuar shtimin e disa pikave të tjera në marrëveshje.
Ai nuk i bëri publike kërkesat shtesë të SHBA-së.
Kryediplomati iranian theksoi se Teherani kërkon që Uashingtoni të përmbushë të gjitha zotimet e përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit të arritur në Islamabad.
Vetëm pas përmbushjes së tyre, sipas tij, mund të zhvillohen negociata për çështjet e tjera.
Araghchi u shpreh se Irani dëshiron ta mbajë të hapur rrugën diplomatike, por shprehu mosbesim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke pretenduar se raundet e mëparshme të negociatave kishin përfunduar me sulme kundër vendit të tij. “Bota duhet ta dijë se është pala amerikane, dhe jo Irani, ajo që po e bllokon rrugën drejt diplomacisë”, deklaroi ai.
Në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, Araghchi tha se ajo nuk do të hapet plotësisht për të gjithë trafikun detar pa një marrëveshje me Uashingtonin.
Ai shtoi se Irani dhe Omani kanë rënë dakord për rrugët e hyrjes dhe daljes së anijeve nga ngushtica, ndërsa hartat dhe koordinatat përkatëse duhet të regjistrohen pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare.
Duke folur për mundësinë e një konflikti të ri, ministri iranian paralajmëroi se nuk mund të përjashtohet një sulm i ri nga SHBA-ja dhe Izraeli. “Kur themi se jemi të gatshëm për luftë, kjo nuk do të thotë se e dëshirojmë atë.
Përkundrazi, është një mesazh për palën tjetër që të rishikojë llogaritjet e saj dhe të mos nisë një luftë tjetër”, theksoi Araghchi, duke shtuar se Irani është po aq i gatshëm për diplomaci sa edhe për luftë.

