Sport

Barcelona Denoncon PSG-në për Koreografinë Provokuese në Ligën e Kampionëve

Barcelona e ka denoncuar PSG-në në UEFA për një koreografi provokuese që tifozët e klubit francez shfaqën në tribunat e Parc des Princes para ndeshjes së Ligës së Kampionëve.

Edhe pse Parisienët e mposhtën Barcelonën me rezultatin 4-2, pas ndeshjes, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te futbolli.

Klubi katalunas i dërgoi një raport delegatit të UEFA-s për një koreografi gjigante që shfaqte një burrë të maskuar, i cili i ngjante Jason Voorhees nga seriali i njohur horror “E premtja e 13-të”, duke mbajtur një sharrë elektrike dhe duke shkatërruar stemën e klubit të Barcelonës, ndërsa gjaku shpërthente përreth.


- Advertisement -

Skena ishte shoqëruar me mbishkrimin “Massacre à la parisienne” ose “Masakër në stilin parisien”.

Koreografia u shfaq në mënyrë të dukshme në tribunat e ultrasve të PSG-së para ndeshjes, me një mesazh të qartë drejt Barcelonës.

Skena u theksua më tej nga efektet piroteknike që simulonin shkëndija nga sharra elektrike.

Ky nuk ishte incidenti i vetëm që shqetësoi Barcelonën.

Tifozët e PSG-së shfaqën gjithashtu banera më të vegjël me mbishkrimin fyes “Puta Barça” (Barça është një kurvë), për të cilat klubi katalunas kërkoi heqjen e tyre.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona është gjithashtu e pakënaqur me mënyrën se si këto banera u sollën në stadium, sidomos duke marrë parasysh kontrollet e sigurisë që kryhen në ndeshje të këtij niveli. Çështja tani mund të ketë një epilog disiplinor.


- Advertisement -