Bojkoti i Mësimdhënies nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve në Shqipëri në Solidaritet me Studentët
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka filluar bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike në vend, duke shprehur solidaritet me studentët dhe nxënësit që janë në protestë.
Ky vendim u mor më 20 tetor nga kryesia e sindikatës dhe do të hyjë në fuqi më 21 tetor, duke vazhduar deri në një njoftim të dytë.
Në njoftimin e tyre zyrtar, sindikata thekson se studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe për llogaridhënie.
Sipas sindikatës, përgjigjja ndaj këtyre kërkesave ka qenë heshtje dhe, që nga 13 tetori, edhe dhunë. “Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj.
Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori e këtej, edhe dhuna ekstreme.
Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë.
Pedagogët ndajnë të njëjtat opinione me studentët për zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj”, thuhet në njoftimin e sindikatës për arsyet e bojkotit.
SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës, si dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për dhunën.
Ajo gjithashtu kërkon trajtim dinjitoz për studentët e shoqëruar dhe përmbushjen e kërkesave të protestuesve. “Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë; Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt; Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar; Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve”.
Sindikata u bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë që të respektojnë vendimin dhe të mos aplikojnë masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Përveç bojkotit të mësimit, pedagogët do të jenë aktivisht të angazhuar në protestë. Çdo ditë, në orën 10:00, ata do të mblidhen para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës për të vazhduar mbështetjen ndaj studentëve.
Sindikata thekson se orët e mësimit do të kompensohen më vonë dhe u kërkon pedagogëve të qëndrojnë në kontakt me studentët, duke u ofruar mbështetje dhe materiale didaktike sipas nevojës. “Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, theksohet në njoftim, ku është theksuar se pedagogët do të rikthehen në mësim sapo studentët të marrin përgjigjen që meritojnë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

