Politik

Shtyhen Seancat Gjyqësore në Gjykatën e Lartë për Shkaqe të Zjarrit

Gjykata e Lartë ka njoftuar se seancat gjyqësore do të shtyhen, përveç atyre që janë urgjente, pas dëmeve materiale dhe infrastrukturës të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave më 17 tetor 2026.

Zjarri ka dëmtuar edhe dosje gjyqësore, dhe institucionin është angazhuar në verifikimin e gjendjes së dokumentacionit dhe vlerësimin e dëmeve përpara rikthimit të plotë të funksionimit.

Në një njoftim zyrtar, Gjykata e Lartë ka bërë të ditur se seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit të gjendjes së dosjeve, dhe rikthimit të kushteve të nevojshme për punë të rregullt. “Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, më 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore.


- Advertisement -

Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor,” thuhet në njoftim.

Gjykata ka angazhuar kapacitetet e saj njerëzore për menaxhimin e situatës, duke u fokusuar në identifikimin dhe verifikimin e dokumenteve të dëmtuara.

Palët ndërgjyqëse dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, të cilët janë të prekur nga kjo situatë, do të njoftohen individualisht përmes të dhënave të kontaktit. “Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të paprecedentë.

Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar,” theksohet në njoftim.

Gjykata ka shprehur mirëkuptimin për ndikimin që shtyrja e seancave mund të ketë te palët ndërgjyqëse dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, duke kërkuar bashkëpunim gjatë përballimit të kësaj situate. “Punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë.

Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore,” thuhet më tej në njoftim.

Sa i përket datave të reja të seancave, Gjykata e Lartë ka bërë të ditur se palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të institucionit.

Gjykata ka theksuar se mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të palëve.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -