Banka e Shqipërisë: Siguria e Depozitave dhe Shërbimeve Bankare në Prioritet
Banka e Shqipërisë ka theksuar se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta, ndërsa shërbimi i pagesave ka vazhduar të funksionojë normalisht, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara në disa degë bankare dhe bankomate (ATM) gjatë incidenteve të fundit nga protestat.
Në një deklaratë, Banka e Shqipërisë shprehu shqetësim për zhvillimet e fundit në vend, duke nënvizuar se siguria e qytetarëve, klientëve dhe punonjësve të institucioneve financiare është prioritet. “Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në vend, veçanërisht incidentet ndaj disa degëve bankare dhe bankomatëve (ATM), të cilat kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme të shërbimeve bankare.
Në këto rrethana, siguria e qytetarëve, klientëve dhe punonjësve të institucioneve financiare mbetet përparësi,” tha banka.
Banka e Shqipërisë garanton se shërbimi i pagesave ka vazhduar pa ndërprerje, duke e theksuar rëndësinë e sistemit bankar për aktivitetin ekonomik të bizneseve dhe nevojat e konsumit të familjeve. “Depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta.
Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave.
Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve,” shtoi banka.
Banka është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse, duke monitoruar situatën dhe masat për ruajtjen e sigurisë së punonjësve, klientëve dhe infrastrukturës bankare.
Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në disa degë lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve.
Banka e Shqipërisë inkurajon qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative për shërbimin bankar.
Sistemi bankar është një shtyllë thelbësore për ekonominë dhe jetën e qytetarëve.
Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune.
Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen.
Banka e Shqipërisë, si një institucion i pavarur në shërbim të interesit publik, përmbush funksione thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, stabilitetit financiar dhe shërbimeve të pagesave.
Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e të drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve bankare.
Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe funksioneve që i shërbejnë të gjithëve.
Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe funksionimin e sigurt të sistemit bankar.
Ajo do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të mbështetur vijimësinë e shërbimeve bankare dhe besimin e publikut në sistemin financiar.
Besimi dhe siguria e qytetarëve janë baza e një sistemi bankar të qëndrueshëm.
Ruajtja e këtij besimi dhe e institucioneve që shërbejnë publikut është në interesin e përbashkët të shoqërisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

