Tiger Shroff shpëton pa lëndime pas sulmit me armë në Mumbai
Aktori i njohur i Bollywood-it, Tiger Shroff, ka shpëtuar pa lëndime pas një incidenti të frikshëm në Mumbai, ku persona të armatosur hapën zjarr ndaj veturës së tij të dielën në mbrëmje.
Nga ky sulm, shoferi i aktorit dhe një person tjetër kanë pësuar lëndime, ndërsa tre të dyshuar janë ndaluar në shtetin fqinj të Rajasthanit, sipas raportimeve nga mediat e huaja.
Ngjarja ndodhi në lagjen luksoze Juhu, teksa aktori 36-vjeçar po largohej nga një aktivitet privat.
Sipas policisë, të shtënat janë regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë, por ende nuk është sqaruar motivi i sulmit.
Të tre të dyshuarit janë ndaluar pak pas mbërritjes me tren në Rajasthan dhe pritet që ata t’u dorëzohen autoriteteve në Mumbai.
Gjatë marrjes në pyetje, është zbuluar se dy prej tyre kanë pasur probleme të mëparshme me ligjin; njëri për vjedhje dhe tjetri për shkelje të Ligjit për Armët.
Ky incident ka shkaktuar reagime të shumta në industrinë indiane të filmit.
Shoqata e Punëtorëve të Kinemasë në Indi e dënoi ngjarjen dhe shprehu shqetësimin se frika nga krimi mund të detyrojë emrat e njohur të largohen nga Mumbai.
Ata gjithashtu i kanë dërguar një kërkesë ministrit të Brendshëm të Indisë për të forcuar masat e sigurisë për familjen e aktorit.
Ndërkohë, kryeministri i shtetit Maharashtra, Devendra Fadnavis, e cilësoi këtë ngjarje si një çështje serioze dhe të dënueshme.
Hetimet e policisë vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të kuptuar arsyet pse aktori u vu në shënjestër.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com

