Arian Tahiri: Institucionet duhet të reagojnë me përgjegjësi ndaj situatës emergjente në Kosovë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka bërë një deklaratë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar që institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet situatës që po kalon vendi.
Tahiri theksoi se kërkesa e tij në këtë mbledhje ishte që Kuvendi të tregojë përgjegjësi, ndërgjegje dhe gatishmëri për të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe urgjente. “16 shtatori ishte ditë e zezë dhe e rëndë për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
Qytetarët e Kosovës me shumë të drejtë po shprehin revoltën e tyre përmes protestave.
Kjo situatë është emergjente, urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
Qytetarët kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë veprime nga Kuvendi dhe Qeveria”, shprehu Tahiri.
Ai gjithashtu informoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë kishte kërkuar miratimin e një deklarate të përbashkët për situatën aktuale. “Andaj, isha këtu për ta alarmuar situatën dhe për të fokusuar vëmendjen te emergjenca që po përjetojmë.
Kryesisë së Kuvendit i kërkova që Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam që ta kemi një të tillë në seancën që do të mbahet ditën e hënë”, përfundoi Tahiri.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur në Kosovë po vazhdojnë protestat lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

