BlogPolitik

Debati mes Vuçiqit dhe Rashiqit mbi zgjedhjet e Serbisë dhe mbështetje politike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar politikanin nga Kosova, Nenad Rashiq, duke thënë se ai “verbërisht po zbaton urdhrat e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit”.

Kjo deklaratë u bë gjatë një konference për media në Nju Jork, ku Vuçiq po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kjo akuzë erdhi pas një deklarate të Rashiqit, udhëheqësit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në Kosovë dhe ministër në Qeverinë e Kurtit, i cili për Radion Evropa e Lirë tha se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor, do ta mbështesë Listën Studentore. “Ai [Nenad Rashiq] nuk bën asgjë tjetër në jetë përveçse i zbaton verbërisht urdhrat e Albin Kurtit.


- Advertisement -

I mbështeti bllokuesit, i uroj gjithë të mirat me mbështetjen e Albin Kurtit dhe [kryeministrit të Kroacisë] Andrej Pllenkoviqit.

Uroj sukses të madh për të gjithë në zgjedhje”, tha Vuçiq.

Rashiq e justifikoi mbështetjen e tij për Listën Studentore duke thënë se kjo do të nënkuptojë organizimin e një udhëtimi kolektiv për të votuar në qytetet kufitare të Serbisë, pasi autoritetet e Kosovës nuk e lejojnë organizimin e zgjedhjeve serbe në komunat me shumicë serbe.

Ai sqaroi se mbështetja e tij është e pakushtëzuar dhe se ai, bashkëpartiakët e tij dhe përkrahësit janë angazhuar kundër “mungesës së kulturës, arrogancës dhe korrupsionit në Serbi”.

Nga ana tjetër, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetur listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, e vlerësoi mbështetjen e Rashiqit për Listën Studentore si një mbështetje për Kurtin, pa paraqitur prova për këtë.

Ata e akuzuan Rashiqin se nuk i është kundërvënë vendimeve të Qeverisë së Kosovës, që sipas tyre, dëmtojnë komunitetin serb, duke përmendur edhe themelimin e Muzeut të Gjenocidit.

Kur ky vendim u miratua në fund të vitit 2024, Rashiq kishte abstenuar, ndërsa më vonë Ministria e tij për Komunitete dhe Kthim bëri të ditur se nuk do ta mbështeste ndonjë vendim që “cenon interesat e popullit serb ose vë në pikëpyetje të vërtetën historike”.

Themelimi i Muzeut të Gjenocidit është një nismë e Qeverisë së Kosovës për dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë.

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjithashtu theksoi se Kurti është përfshirë në fushatën e Listës Studentore dhe se e mbështet atë financiarisht, megjithëse nuk paraqiti prova për këto pretendime.

Ai renditi një sërë vendimesh të autoriteteve të Kosovës, për të cilat, sipas tij, është përgjegjës edhe Nenad Rashiqi, përfshirë heqjen e dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve serbe.

Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitete, ka deklaruar më herët se institucionet e Kosovës janë të vetmet që i kanë mbetur komunitetit serb dhe se ata duhet të bëhen “një faktori brenda tyre”.

Ai theksoi se serbët nga Kosova e dinë mirë se çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë dhe në atë të Kosovës, dhe se askush nga Beogradi nuk mund ta dijë më mirë se çfarë ndodh në terren.

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar ka kërkuar nga OSBE-ja të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve dhe mbledhjen e fletëvotimeve, por misioni në Kosovë ka thënë se për këtë nevojitet pëlqimi nga institucionet e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka pasur një reagim lidhur me këtë çështje.

Përveç Rashiqit, Listën Studentore e kanë mbështetur edhe parti të tjera opozitare të serbëve në Kosovë, si Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Aleanca e Kosovës, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”, të cilat kritikojnë autoritetet aktuale në Serbi për përjashtimin nga procesi i vendimmarrjes dhe menaxhimin jotransparent të parave që janë destinuar për Kosovën.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *