Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup u dëgjua zëri i shqiptarëve në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pak javë para shpalljes së vendimit për katërshen e UÇK-së, Speciales në Hagë do t’i dorëzohen edhe mbi 200 mijë firmat e mbledhura në mbrojtje të vlerave të luftës.
Ky peticion kombëtar, i iniciuar dy muaj më parë, do të dorëzohet pranë Speciales, të mërkurën nga i kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Ai u dënua për pengim të drejtësisë dhe u liria nga burgu në vitin 2023.
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla ka folur për KosovaPress lidhur me këtë peticion. ‘Forma e fundit pas protestave ose aktiviteti ynë pas protestave ka qenë kjo e peticionit.
Për këtë peticion afërsisht janë mbledhur rreth 70 mijë nënshkrime në formën online edhe mendojmë që diku të formës fizike dhe online arrin diku mbi 200 mijë është numri i atyre që kanë nënshkruar kundër padrejtësisë që po ndodhë në Gjykatën Speciale.
Të cilës do i drejtohemi me datën 6 maj, nëse nuk gaboj diku në orën 10:00 e kemi lënë terminin që ta bëjmë pranim-dorëzimin e peticionit në Gjykatën Speciale, ku do të jetë edhe zotëri Gucati, kryetari do të jetë personalisht atje së bashku me disa bashkatdhetarë që të bëjnë dorëzimin e këtij peticioni edhe zyrtarisht’, njofton ai.
Syla shton se ky peticion kishte për qëllim që t’i dërgohet Speciale një mesazh se shqiptarët kundërshtojnë një gjykim politik. ‘Ka qenë ideja që një far forme me i thënë kësaj gjykate që në qoftë se ju do të vendosni të zhvilloni atje një gjyq politik, shqiptarët kudo që ata jetojnë i thonë jo një gjykimi politik por të bazuar në fakte dhe dëshmi nëse ka, përndryshe jo në emrin tonë.
Nuk mund të vendosni të gjykoni historinë e luftës tonë në emrin tonë, në emër të shqiptarëve.’, thotë ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin preliminar të organizatës ‘Bar Human Rights Committee of England and Wales’, lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.
Raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me ‘kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes’. Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim.
Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.
