Një laborator i fshehtë për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike është zbuluar në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq në Shqipëri.
Ky operacion u zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve.
Ambienti nëntokësor ishte ndërtuar në mënyrë të fshehtë poshtë një koteci shpendësh dhe përdorej për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike të llojit Kanabis sativa.
Autoritetet bëjnë të ditur se për këtë rast është arrestuar shtetasi me inicialet K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve paraprake, laboratori ishte ndërtuar me kushte të sofistikuara dhe ishte i organizuar në mënyrë profesionale për kultivimin e drogës.
Gjatë kontrollit të kryer në ambientin nëntokësor, autoritetet sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis sativa, një sasi të vogël të dyshuar kokainë, peshore elektronike, sisteme ventilimi dhe ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar.
