Një mbrëmje e veçantë për kompozitorin shqiptar në tokën ku identiteti arbëresh ruhet prej shekujsh.
Kompozitori kosovar Xhevdet Gashi është nderuar në Kalabri me titullin ‘Artist i Merituar i Arbërisë’, në një mbrëmje ku muzika, kultura dhe identiteti shqiptar u bashkuan në zemër të një prej komuniteteve më të njohura arbëreshe në Itali.
Gashi, e mori këtë vlerësim në kuadër të Çmimit Ndërkombëtar ‘Morea’, gjatë edicionit të 43-të të ‘Rassegna del Costume e della Cultura Arbëreshe’, të zhvilluar në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri.
Manifestimi, i kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë arbëreshe, bashkoi traditën, artin dhe brezat e rinj përmes një programi me veprimtari muzikore, artistike dhe kulturore. ‘Kjo dekoratë është e veçantë për mua’, tha Gashi emocionuar.
Nderimi mori një domethënie të veçantë edhe për faktin se vinte nga një komunitet që ka arritur ta ruajë gjuhën, traditat dhe identitetin arbëresh. ‘Për mua është vështirë e kuptueshme që kultura arbëreshe, me shekuj bashkëjetoi me një kulturë shumë të madhe, që është kultura italiane, megjithatë, arriti ta ruajë identitetin e vet’, u shpreh kompozitori.
Në fund të fjalës së tij, Gashi i dha këtij nderimi një kuptim që shkonte përtej karrierës personale. ‘Këtë dekorim nuk e marr vetëm si shpërblim për vete, por si një urë lidhëse midis arbëreshëve dhe shqiptarëve përtej detit’, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





