Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ndodhet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit të tij, Jashari po zhvillon takime të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ushtarak dhe për të avancuar kapacitetet e FSK-së.
Delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA annual meeting & exposition” në Uashington D.C., i cili është forumi më i madh me mbi 700 ekspozues nga fusha e mbrojtjes dhe përfaqësim nga mbi 100 shtete.
Kjo pjesëmarrje shërbeu për njohjen e teknologjive më të fundit ushtarake, me qëllim modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Në kuadër të kësaj vizite, komandanti Jashari qëndroi në Departamentin e Luftës së SHBA-së në Pentagon, ku zhvilloi një takim të rëndësishëm me zëvendësndihmëssekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C.
Jenkins.
Në këtë takim u diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh, sidomos në fushën e Operacioneve Speciale dhe në fusha të tjera.
Gjatë bisedës, u riafirmua mbështetja e plotë e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin profesional të saj dhe gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë globale.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në SHBA, gjenerallejtënant Jashari pati një takim me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga Gjeneral Brigade Charles H.
Lampe.
Në këtë takim u diskutuan arritjet e deritashme të bashkëpunimit midis FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe planin e bashkëpunimit dy palësh për pesë vitet e ardhshme mes dy forcave tona.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




