Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka qëndruar në Spitalin e Traumës për të vizituar efektivët e policisë që u dëmtuan gjatë protestës në Tiranë.
Sipas të dhënave nga Policia, 51 punonjës policie kanë pësuar lëndime si rezultat i sulmeve me gurë, sende të forta dhe bomba molotov.
Policia ka pretenduar se pjesëmarrës të maskuar kanë sulmuar efektivët për më shumë se 14 orë.
Gjatë vizitës, Hita u ka dëshiruar shërim të shpejtë punonjësve të dëmtuar, duke theksuar profesionalizmin dhe përmbajtjen e tyre përballë sulmeve.
Ai gjithashtu u ka garantuar mbështetje të plotë nga institucionin që drejton.
Drejtori i Policisë ka pasur një takim edhe me stafin e Spitalit të Traumës dhe ekipin mjekësor, nga të cilët u informua se efektivët me dëmtime më të rënda do të vazhdojnë të qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, 65 persona janë shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, nën dyshimin për përfshirje në sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve publike e private.
Policia njofton se hetimet do të vazhdojnë për identifikimin e të gjithë individëve të përfshirë në aktet e dhunës dhe përballjen e tyre me ligjin.
Protesta e zhvilluar për dy ditë është shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të shumta materiale në kryeqytet.
Gjatë aksit kryesor që lidh qendrën e Tiranës me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë dëmtuar kamera sigurie, semaforë dhe tabela reklamash.
Dëmtime janë raportuar gjithashtu ndaj disa institucioneve shtetërore dhe bizneseve private, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe Bankën e Shqipërisë.
Dëme janë shkaktuar gjithashtu në Piramidën e Tiranës, ku janë thyer xhama dhe janë sulmuar biznese brenda godinës.
Po ashtu, janë raportuar dëme në biznese përgjatë Rrugës së Durrësit.
Gjatë përpjekjeve të protestuesve për të sulmuar godinën e Kryeministrisë me mjete piroteknike dhe shishe me lëndë djegëse, forcat e rendit kanë ndërhyrë për të mbrojtur perimetrin e sigurisë dhe për të shpërndarë turmën, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Policia e Shtetit ka njoftuar se hetimet do të vazhdojnë për dokumentimin e rasteve të dhunës dhe identifikimin e personave përgjegjës për dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





