Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Gjilan, ku një grua u vra nga bashkëshorti i saj.
Nga të shtënat me armë zjarri, mbeti i vdekur edhe vëllai i saj, ndërsa xhaxhai i viktimës u plagos rëndë.
Kjo tragjedi rikthen në fokus çështjen e dhunës ndaj grave dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e vrasjeve.
Sipas të dhënave, kjo është gruaja e 63-të e vrarë nga bashkëshorti që nga viti 2010.
Pas ngjarjes, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila theksoi se institucionet duhet të veprojnë para se dhuna të përfundojë me vrasje. “Nuk guxojmë të presim që gratë të vriten për të reaguar.
Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka shkruar Gërvalla.
Kosovë, ka përfshirë drejtpërdrejt në nenin 22 të Kushtetutës Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, e cila përcakton standarde për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.
Në vitin 2022, me iniciativën e presidentes së atëhershme, Vjosa Osmani, u formua Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili nxori rekomandime konkrete për luftimin e dhunës me bazë gjinore, përfshirë ndryshimet e nevojshme ligjore.
Megjithatë, sipas të dhënave, këshilli u mblodh vetëm dy herë.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës vlerëson se mbledhja e këshillit nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por duhet të pasohet nga veprime konkrete të institucioneve për hetimin e rasteve dhe përmirësimin e legjislacionit. “Presim që nga kjo mbledhje institucionet tona të dalin me hapa konkretë për veprimet që do t’i ndërmarrin, për hetime adekuate të këtyre rasteve, si dhe për ndryshime në legjislacion, të cilat po duket se janë gjithnjë e më të nevojshme, në mënyrë që dhuna ndaj grave dhe vrasja e grave të trajtohen edhe në legjislacionin tonë, por edhe të jenë prioritet kombëtar dhe të kenë vëmendjen e institucioneve”, theksoi ajo.
Nevojën për trajtim urgjent të problemit e thekson edhe Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, i cili vë në pah rëndësinë e ndërhyrjes institucionale dhe të investimit në shëndetin mendor. “Nuk mund ta konceptojmë dhe ta pranojmë dhunën si diçka normale në shoqërinë tonë.
Dhe si e tillë, problematika kryesore qëndron te shteti ynë, sepse shteti nuk investon në promovimin e shëndetit mendor dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Ne kemi politika në letër, por ato politika asnjëherë nuk janë të zbatuara”, pohoi Havolli.
Të dhënat tregojnë se gratë e moshës 30-40 vjeç përbëjnë grupin me numrin më të madh si viktima të dhunës në familje.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në raportin 6-mujor të këtij viti, 1335 raste kanë raportuar dhunë në familje.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





