Të Arrihet Stabiliteti Politik në Kosovë: Prioritetet për Qeverisjen e Re

Me aktivizimin e institucioneve shtetërore, sfida e radhës për Kosovën mbetet të kthejë stabilitetin politik në rezultate konkrete.

Rritja e ritmit të reformave evropiane, zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve janë disa nga prioritetet që kërkojnë vëmendje, sipas njohësve të fushës.

Politologët theksojnë se, pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës është i domosdoshëm për çështjet me rëndësi shtetërore.


- Advertisement -

Pas aktivizimit të të gjitha institucioneve, fokusi është zhvendosur te vendimet që duhet t’i japin prioritet qeverisjes së re, po ashtu edhe bashkëpunimit pozitë-opozitë për të avancuar çështje të rëndësishme për vendin.

Mazllum Baraliu, njohës i politikës, thekson se rruga euroatlantike e Kosovës, Plani i Rritjes, mbrojtja e katërshes së UÇK-së në Hagë dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë prioritetet kryesore të kësaj qeverisjeje. “Duhet të miratohen ligjet që të bëhen reformat që kërkesa jonë të trajtohet sa më parë për kandidat për anëtarësim në BE.

Pa lënë anash edhe planin e brendshëm, zgjidhjen e problemeve, veçanërisht për kategoritë e dëmtuara si pensionistët, fëmijët dhe të papunët,” tha ai.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, theksoi se “rreth gjysmë miliardë euro ose rreth 500 milionë euro janë në pritje që duhet t’i marrë shteti i Kosovës nga këto fonde, qoftë nga Plani i Rritjes, qoftë edhe nga fondet e IPA-s, që kanë të bëjnë me të gjitha sektorët e jetës në Kosovë, si arsimi, ekonomia dhe drejtësia.” Njohësit e fushës vlerësojnë se Kosova ka humbur shumë për shkak të ngërçit të gjatë politik, dhe thonë se pozitë dhe opozitë duhet të jenë bashkë para proceseve të rëndësishme që e presin vendin. “Tashmë do të duhet gjithsesi që të punojnë së bashku.

Në aspektin e bllokadës që kemi pasur politike mbi dy vite, dëmet janë kolaterale, por janë edhe esenciale, të shumta dhe të pariparueshme.

Gjithsesi, edhe në imazh, edhe në rating, edhe në prestigj,” deklaroi Baraliu.

Stabiliteti institucional tani po kërkohet që të dëshmohet edhe përmes punëve për të rritur zhvillimin ekonomik. “Inflacioni e gërryen qytetarin e Kosovës.

Për këtë arsye, shfrytëzojmë rastin përmes mediave për t’i bërë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që ta marrë shumë seriozisht e ta ndërmarrë një paketë që do t’i ndihmonte sado pak në zbutjen e inflacionit.

Sepse do të kemi një rritje edhe më të madhe të inflacionit dhe një ulje më të madhe të standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës,” thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një sërë projektligjesh dhe marrëveshjesh të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa të hënën do të mblidhet sërish kryesia për të caktuar seancën e ardhshme.

Njohësit e fushës kanë kërkuar po ashtu që të punohet drejt tërheqjes së investimeve të huaja, sundimit të ligjit dhe realizimit të projekteve të rëndësishme në shëndetësi, arsim e fusha të tjera.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *