Familja e Selatin Mehmetit kishte angazhuar avokatin Betim Shala për rastin e shitjes së shtëpisë në Prishtinë, për të cilën pretendohet se ishte realizuar me dokumente të falsifikuara.
Sipas avokatit, u vërtetua se autorizimi mbi të cilin ishte bërë shitja ishte fals. ‘Pas një periudhe kohore është vërtetu që falsifikimi është bërë në autorizim,’ thotë Betim Shala.
Ai shton se dokumenti ishte lëshuar në emër të Selatin Mehmetit, ndonëse ai kishte vdekur shumë vite më herët. ‘Selatin Mehmeti, në kohën kur është dhënë autorizimi ka qenë i vdekur,’ deklaron Shala.
Adile Mehmeti-Kurti thotë se familja kishte kërkuar bllokimin e pronës pasi kishte kuptuar se ajo ishte kaluar në emër të një personi tjetër. ‘Thash qysh shtëpia në emër të atij, shtëpia jonë është… po du me ja bo bllok që mos me mujt ai kurgjo me ndërtu qaty,’ rrëfen ajo.
Megjithatë, procedura penale ndaj Agim Mehmetit u pushua për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale, ndërsa personi që ishte paraqitur si Selatin Mehmeti nuk u identifikua kurrë. ‘Si pasojë e mos gjetjes së të dyshuarit… vjen edhe deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale,’ thotë ish-avokati i familjes.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, aktakuza ishte dorëzuar në gjykatë më 16 dhjetor 2009, por lënda i ishte caktuar gjyqtarit më 21 mars 2016, rreth shtatë vjet më vonë.
Në qershor 2016, procedura u mbyll për shkak të parashkrimit.
