Rritja e rasteve të fruthit në Kosovë: Thirrje për vaksinim të fëmijëve

Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të fruthit që nga muaji maj.

Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri tani janë konfirmuar mbi 170 raste.

Infektologët theksojnë se pothuajse çdo ditë paraqitet një rast i ri me fruth.


- Advertisement -

Drejtoresha e Klinikës së Infektives, Vera Berisha Ndrejaj, ka bërë të ditur se aktualisht, tre pacientë janë të hospitalizuar në këtë klinikë. “Për momentin kemi tre raste të spitalizuar, rastet e tjera janë lëshuar me rekomandim që të kthehen sipas nevojës, sepse kanë kaluar fazën e infeksionit dhe nuk janë më në rrezik.

Ne i testojmë të gjitha rastet që janë të dyshimta dhe sigurisht që çdo rast që ka nevojë për spitalizim e spitalizojmë”, shprehet ajo.

Ndër të tjera, ajo theksoi se personat e prekur nga fruthi janë kryesisht ata që nuk janë vaksinuar. “Pesha e kësaj sëmundjeje është shumë e rëndë, sepse komplikimet janë të mundshme dhe si sëmundje është shumë kontagjenioze.

Një ambient ku ndodhet një pacient me morbill, mund të sëmurë të gjithë ata që janë të pavaksinuar”, tha drejtoresha e klinikës.

Në anën tjetër, Bujar Vitia, gazetar i shëndetësisë, bëri thirrje për vaksinimin e fëmijëve dhe për informim më të madh të prindërve nga institucionet. “Është shqetësuese dhe e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve tanë. Është krejt e pa përgjegjshme nga prindërit që të refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, sepse në këtë mënyrë rrezikojnë shëndetin e tyre.

Duhet të ketë përpjekje të mëdha nga institucionet për t’i informuar prindërit me argumente shkencore se kjo vaksinë nuk shkakton asnjë efekt anësor”, tha ai.

Ai kërkoi që prindërit të informohen përmes argumenteve shkencore dhe të mos bien pre e dezinformatave rreth vaksinës.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *