Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar në një konferencë për media se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po rrezikohet.
Rama theksoi se letra e dërguar dje nga Komiteti Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare ka nxjerrë në pah vonesat dhe mospërmbushjen e detyrimeve që kërcënojnë këtë ngjarje.
Ai sqaroi se kjo nuk është letra e parë, por një vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë ardhur gjatë muajve të fundit, të cilat, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigjjen e duhur nga Qeveria. “Sot jemi këtu për të informuar opinionin publik për një situatë jashtëzakonisht serioze që ka të bëjë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Dje, më 15 tetor, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ISMG) ka dërguar një letër zyrtare përmes së cilës paralajmëron për vonesat dhe mospërmbushjen e detyrimeve që rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.
Kjo nuk është letra e parë, është vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë nisur muaj më parë e që fatkeqësisht nuk kanë marrë përgjigjjen e duhur nga Qeveria.
ISMG-ja konstaton se letra e 21 shtatorit ka mbetur pa përgjigjje, garancia bankare ose e sigurimit e kërkuar që nga janari nuk është dorëzuar, dhe detyrimet financiare që është dashur të përmbushen në qershor nuk janë paguar”, tha Rama.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





