Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka reaguar lidhur me ekspozitën që është shfaqur në Prishtinë rreth masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë ku pati pasaktësi të mëdha.
Ekspozita mori shumë kritika në lidhje me detajet e ngjarjeve që shënuan masakrat e ndryshme në Kosovë.
Ismaili përmes një reagimi në Facebook tha se ‘akterë të ndryshëm po përpiqen të shtrembërojnë historinë tonë, që viktimat të harrohen e çlirimtarët të dënohen’.
Kush e kupton më mirë se Nana Ferdonije dhembjen e kësaj lufte?
Ajo jeton çdo ditë me të.
Ndërkohë, si në Hagë, ashtu edhe në Prishtinë, akterë të ndryshëm po përpiqen të shtrembërojnë historinë tonë, që viktimat të harrohen e çlirimtarët të dënohen.
Pa të vërtetë, nuk ka drejtësi.
Pa drejtësi, nuk ka as krenari për Kosovën.
E pa këto të dyja, nuk mund të ketë një të ardhme të mirë.
