Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka përshëndetur reagimin e Prokurorisë Speciale lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998-99’.
Ekspozita mori shumë kritika në lidhje me detajet e ngjarjeve që shënuan masakrat e ndryshme në Kosovë, teksa Prokuroria Speciale tha se kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elementë të përgjegjësisë penale.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se çdo përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale.
E përshëndes veprimin dhe qasjen institucionale të Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’.
Historia nuk është hapësirë për eksperimente, as për narracione të rreme.
Presim që institucionet e drejtësisë të veprojnë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon të vërtetën historike dhe rendin kushtetues.
