Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, duke e cilësuar ndërhyrjen e Policisë së Kosovës si të papërshtatshme dhe të tepruar.
KMDLNj pretendon se Policia ka ndërhyrë pa paralajmërim, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe forcë fizike ndaj protestuesve.
Sipas KMDLNj-së, përdorimi i forcës ka rrezikuar edhe persona që nuk ishin pjesë e protestës, përfshirë kalimtarë të rastit, të moshuar, gra dhe fëmijë.
Organizata po ashtu pretendon se është përdorur gaz lotsjellës me afat të skaduar, në sasi të mëdha dhe në mënyrë joproporcionale. “KMDLNj ishte në vend të ngjarjes deri në orë të vona dhe konstaton që përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm dhe i shmangshëm dhe se përshkallëzimin e situatës e provokoi Policia, pas së cilës edhe protestuesit demonstruan sjellje më agresive,” thuhet në reagim.
Megjithatë, KMDLNj ka theksuar se e mbështet të drejtën për protestë vetëm për aq kohë sa ajo zhvillohet pa dhunë dhe pa cenuar të tjerët.
Organizata gjithashtu ka deklaruar se përkrah lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e deputetëve për të votuar në përputhje me mandatin e tyre, pa presion.
KMDLNj i ka bërë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës që të hetojë me urgjencë rastet ku ekziston dyshimi për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve.
Po ashtu, organizata ka propozuar që komisionet përkatëse parlamentare të thërrasin për raportim drejtorin e Policisë së Kosovës dhe ministrin e Punëve të Brendshme lidhur me menaxhimin e protestës.
Në reagim, KMDLNj ka kërkuar që Policia të veprojë në bazë të ligjit dhe integritetit profesional, ndërsa ka shprehur shqetësimin për ndikimin politik në vendimmarrjen policore. “KMDLNj thërret politikanët e Kosovës të gjejnë një zgjidhje politike, të ulin tensionet dhe të mos kontribuojnë për eskalimin e situatës,” thuhet në fund të reagimit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





