Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë konfirmuar një rast të ri me hantavirus te një shtetas spanjoll, i cili ishte evakuuar nga anija turistike MV Hondius dhe aktualisht po trajtohet në izolim në një spital në Madrid.
Pacienti është një nga 14 shtetasit spanjollë që ishin në bordin e anijes dhe janë vendosur në karantinë në Spitalin Qendror të Mbrojtjes “Gomez Ulla” që nga data 10 maj.
Rasti i ri u identifikua gjatë monitorimit epidemiologjik pas zbulimit të parë të infeksionit në anije.
Pas diagnozës, pacienti është transferuar në Njësinë e Izolimit të Nivelit të Lartë në spitalin e Madridit për trajtim nën masa të rrepta të biosigurisë.
Numri i personave të infektuar me hantavirus nga pasagjerët dhe ekuipazhi i MV Hondius është rritur në dy.
Ministria e Shëndetësisë thekson se situata është nën kontroll dhe rasti është menaxhuar brenda sistemit ekzistues të izolimit, pa ndryshim në rrezik për popullatën e gjerë dhe masat aktuale të menaxhimit epidemiologjik.






